Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, deklaroi se ky anëtarësim do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë. Sipas Zulfajt, Dhomat Ekonomike Gjermane vlerësojnë se aktualisht diaspora dhe bizneset paguajnë afër 60 milionë euro në kosto transaksionesh, të cilat do të uleshin me integrimin në SEPA.
Zulfaj theksoi se Kosova dërgoi dy ligje në Kuvend që lidhen me SEPA-n. Prej tyre, Ligji për Shërbimin e Pagesave ka kaluar, ndërsa ligji kundër financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave nuk u miratua. Zulfaj i cilësoi të paqëndrueshme arsyetimet për mosmiratimin e ligjit me procedurë të shpejtë, duke theksuar funksionimin e kufizuar të Kuvendit.
Vonesat në miratimin e këtyre ligjeve mund të sjellin humbje fondesh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi reformat janë të lidhura me afate. Zulfaj argumentoi se ngadalësimi i reformave është pasojë e bllokadës në Kuvend, pasi shumë prej tyre kërkojnë miratim ligjor.
SEPA është një mekanizëm evropian që synon t’i bëjë pagesat në euro ndërmjet shteteve pjesëmarrëse po aq të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta sa pagesat brenda një vendi. Përfshirja në SEPA do të ulte dallimet mes pagesave vendore dhe atyre ndërkufitare, duke i bërë transaksionet më efikase dhe më të lira për qytetarët dhe bizneset.