Presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se motoja “Evropë më e fortë – NATO më e fortë” nënkupton një Evropë të zgjeruar dhe të bashkuar, e cila jeton në paqe dhe demokraci, bazuar në parime dhe vlera. Këtë mesazh ajo e përcolli para takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive.

Në delegacionin shtetëror, krahas presidentes, ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Ministri Mucunski zhvilloi një takim me homologun e tij holandez, Tom Berendsen, ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe evropiane, si dhe partneritetin në NATO.

Ministri Misajllovski mori pjesë në disa aktivitete, përfshirë pritjen për ministrat e mbrojtjes të organizuar nga ministri turk Yaşar Güler. Ai ishte i pranishëm edhe në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes dhe në ceremoninë e anëtarësimit të Francës, Finlandës dhe Suedisë në nismën e NATO-s për trajnimin e fluturimit në Evropë. Forumi i Industrisë së Mbrojtjes theksoi rëndësinë e inovacionit dhe zhvillimit të industrisë mbrojtëse si element kyç për sigurinë kolektive.

Samiti i NATO-s, i zhvilluar me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, pritet të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës. Fokusi ishte te forcimi i mbrojtjes kolektive, investimet në kapacitetet mbrojtëse, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, mbështetja për Ukrainën dhe sfidat aktuale të sigurisë.