Analisti Edvin Kulluri deklaroi se zhvillimi i samitit të NATO-s në Shqipëri është vënë në pikëpyetje. Kjo situatë vjen për shkak të kërkesave për siguri maksimale kibernetike dhe fizike, ndërkohë që vendi përballet me paqartësi rreth çështjeve të të dhënave dhe kontratave.
Kulluri përmendi skandalin e të dhënave të AKSHI-t dhe rrjedhjen e të dhënave të TIMS-it, duke theksuar se ende nuk ka informacion mbi autorët apo destinacionin e këtyre të dhënave. Gjithashtu, ai adresoi marrëveshjen “Smart City”, duke vënë në dyshim mënyrën e lidhjes së kontratës dhe nevojën për hetim nga SPAK.
Ai kritikoi qeverinë për lidhjen e kontratave me kompani që nuk janë nga vendet anëtare të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një “çorientim gjeopolitik”. Kulluri theksoi se kompanitë si KAYO, të përfshira në projekte kyçe, dyshohet se disponohen nga persona dhe vijnë nga vende jo-anëtare të NATO-s. Më parë, kontratat ushtarake bëheshin me kompani nga vendet aleate si Turqia dhe Italia. Kjo strategji e re, sipas tij, dobëson ndërveprimin me NATO-n, pasi nuk mund të lidhen kontrata me vende si Namibia, Brazili apo Koreja e Jugut për kapacitete që ndikojnë sigurinë e aleancës.