Presidentja Siljanovska-Davkova do të marrë pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut. Delegacioni përbëhet gjithashtu nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski. Gjatë qëndrimit në Ankara, presidentja pritet të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësues të vendeve aleate.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shprehu pakënaqësi për mungesën e përfaqësuesve shqiptarë në delegacion. Sipas BDI-së, kjo përbërje nuk pasqyron realitetin multietnik të vendit dhe shënon një hap prapa nga parimet e përfaqësimit të drejtë. BDI thekson se pjesëmarrja e përfaqësuesve shqiptarë në delegacionet shtetërore, veçanërisht në ngjarje ndërkombëtare, është thelbësore për të reflektuar karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut.

Samiti mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë presidentë dhe kryeministra nga vende si SHBA, Franca, Gjermania, dhe Shqipëria. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, marrin gjithashtu pjesë. Fokusi i samitit do të jetë rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i kapaciteteve parandaluese, dhe objektivat strategjikë të Aleancës. Liderët do të diskutojnë sfidat e sigurisë, si lufta në Ukrainë dhe situata në krahun jugor të NATO-s.

Në fund të samitit pritet miratimi i një deklarate përfundimtare, e cila do të përcaktojë prioritetet dhe drejtimet strategjike. Aleatët do të riafirmojnë angazhimin ndaj mbrojtjes kolektive. Po ashtu, pritet të shpallet ndihma për Ukrainën prej 70 miliardë eurosh për këtë vit dhe po kaq për vitin e ardhshëm, plus një hua prej 60 miliardë eurosh nga BE. Deklarata do të theksojë se Rusia përbën një kërcënim afatgjatë dhe se Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore. Samiti zhvillohet në Pallatin Presidencial të Ankarasë, nën masa të rrepta sigurie me angazhimin e mijëra pjesëtarëve të shërbimeve të sigurisë.