Presidentja Siljanovska-Davkova, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në këtë ngjarje. Gjatë samitit, presidentja pritet të zhvillojë takime dypalëshe me liderë të vendeve aleate.

BDI shprehu pakënaqësi të thellë, duke theksuar se kjo përbërje nuk pasqyron realitetin multietnik të vendit dhe bie ndesh me parimet e përfaqësimit të drejtë. Sipas BDI-së, mungesa e shqiptarëve në delegacionet shtetërore, veçanërisht në ngjarje ndërkombëtare, cenon karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut. Ata e konsideruan këtë si një mesazh të gabuar për qytetarët dhe aleatët.

Samiti mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si presidenti amerikan Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Fokusi i samitit përfshin rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e kapaciteteve të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe objektivat strategjike të Aleancës. Liderët do të diskutojnë sfidat e sigurisë në rajonin euroatlantik, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe situatën në krahun jugor të NATO-s.

Pritet miratimi i një deklarate përfundimtare që do të riafirmojë angazhimin për mbrojtjen kolektive. Ndihma për Ukrainën, e parashikuar të arrijë 140 miliardë euro për dy vitet e ardhshme, si dhe një hua prej 60 miliardë eurosh nga BE, do të jenë gjithashtu në fokus. Në deklaratë do të përfshihet edhe dënimi i Rusisë si kërcënim afatgjatë dhe theksi se Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore. Samiti përfshin Forumin e Industrisë së Mbrojtjes së NATO-s, ku do të nënshkruhen marrëveshje me vlerë miliarda euro.

Për zhvillimin e samitit, në Ankara janë marrë masa të larta sigurie, me mbi 56,000 pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë të angazhuar. Transporti i liderëve do të bëhet me dhjetë limuzina të prodhuara nga kompania turke “Togg”, të dizajnuara posaçërisht për këtë ngjarje.