Qeveria promovoi me ceremoni sallat kirurgjikale të rinovuara në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup dhe Spitalin e Strumicës. Megjithatë, këto salla nuk janë vënë ende në funksion, pavarësisht promovimeve zyrtare.

Më 6 prill, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantuan gjashtë salla të rinovuara në Klinikën për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, si dhe në Qendrën Urgjente (TOARILUC). Projekti me vlerë 282 milionë denarë (mbi 4.5 milionë euro) parashikon rinovimin e gjithsej 10 sallave operative. Ministria e Shëndetësisë tha se për TOARILUC-in po zhvillohen analiza mikrobiologjike dhe funksionimi pritet pas rezultateve negative.

Më 13 maj, Mickoski promovoi departamentin e rinovuar kirurgjikal të Spitalit “8 Shtatori”. Investimi mbi 17 milionë euro përfshiu bllokun operativ, kujdesin intensiv, patologjinë, laboratorin klinik dhe çatinë. Ministria e Shëndetësisë theksoi se pas punimeve infrastrukturore, duhet të sigurohen kushtet sterile, të bëhet pajisja, të trajnohen punonjësit, të inspektohen ambientet dhe të lëshohet leja e përdorimit.

Më 17 qershor, kryeministri Mickoski njoftoi se departamenti i ri i Spitalit të Strumicës pritet të vihet në funksion gjatë vjeshtës, pas 40 vitesh nga fillimi i ndërtimit. Investimi arrin në 279.3 milionë denarë (rreth 4.5 milionë euro). Objekti, me tetë salla operative, do të strehojë repartet kirurgjikale, gjinekologjinë, urologjinë, repartin e syve dhe ortopedinë me traumatologji.