Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se projekti “Safe City”, i nisur këtë vit, ka sjellë një ulje të ndjeshme të viktimave në aksidentet rrugore. Nga shkurti deri në qershor të këtij viti, u regjistruan 34 viktima në trafik. Kjo shifër është krahasuar me 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rënie prej 40%.
Që nga fillimi i zbatimit të sistemit, janë evidentuar mbi 130 mijë kundërvajtje në komunikacion. Më shumë se 95% e këtyre shkeljeve lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar. MPB thekson se drejtimi i papërgjegjshëm i automjeteve mbetet rreziku kryesor në rrugë.