Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Çështjet Strategjike (IISS) në Londër zbulon se ky operacion zgjati rreth një vit e gjysmë. Dronët u lëshuan nga anije që lundronin në Kanalin Anglez, Detin e Veriut dhe Detin Baltik, duke ekspozuar dobësi në mbrojtjen ajrore të NATO-s kundër kërcënimeve me kosto të ulët.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda, Suedia dhe vende të tjera anëtare të NATO-s ishin në shënjestër. Charlie Edward, studiuesi drejtues i raportit, thekson se operacioni preku mbi 12 shtete evropiane. Ai e cilëson këtë një fushatë të planifikuar dhe të koordinuar nga Kremlini.

Objektivat përfshinin mbikëqyrjen e centraleve bërthamore, grumbullimin e informacioneve për bazat ushtarake, zbulimin e infrastrukturës strategjike dhe ushtrimin e presionit psikologjik. Dronët u lëshuan nga cisterna nafte, anije tregtare dhe mjete të tjera detare private, duke lundruar pranë brigjeve veriperëndimore të Evropës.

Mbi 140 dronë u vërejtën pranë centraleve bërthamore dhe bazave ushtarake. Ndër incidentet e dokumentuara janë fluturimet mbi bazat ajrore britanike Lakenheath dhe Fairford, bazën franceze të Île Longue ku ndodhen nëndetëse bërthamore, bazat Kleine-Brogel në Belgjikë dhe Volkel në Holandë ku ruhen armë bërthamore amerikane, si dhe një bazë nëndetësesh në Gjermaninë veriore.

Në shtator 2023, një incident me dronë detyroi autoritetet daneze të mbyllnin përkohësisht aeroportin e Kopenhagës. Gjatë kësaj periudhe, katër cisterna ruse të “flotës fantazmë” u sekuestruan nga forcat speciale franceze pranë Danimarkës. Numri më i madh i incidenteve u regjistrua midis shtatorit dhe nëntorit të vitit të kaluar, me rreth 30 dronë të dyshimtë në muaj.

Raporti thekson se aktiviteti i spiunazhit me dronë është ulur kohët e fundit. Kjo vjen pasi marina britanike dhe forcat detare të vendeve të tjera nisën sekuestrimin e anijeve ruse të dyshuara si pjesë e “flotës fantazmë”.