Rastet e dhunës mes fëmijëve dhe të rinjve po shtohen vazhdimisht, ndërsa autoritetet shpesh nuk ofrojnë një epilog përfundimtar. Përplasjet fizike, kërcënimet, përdorimi i mjeteve të mprehta, bullizmi verbal, dhe publikimi i incidenteve në rrjetet sociale janë bërë dukuri të shpeshta.

Satki Ismaili, ish-mësues me përvojë të gjatë në arsim, thekson se fëmijët janë viktima të neglizhencës familjare dhe institucionale. Sipas tij, edukata dhe shëndeti mendor i fëmijëve duhet të jenë prioritet absolut. Ai shton se diskriminimi dhe dhuna janë të dukshme kudo, sidomos kur fëmijët janë jashtë orarit të mësimit dhe kontrollit prindëror.

Për të adresuar këtë problem, Ismaili do të nisë një projekt pilot në shtator në disa shkolla me një ndërrim. Ky program i zgjeruar do të përfshijë aktivitete jashtëmësimore, me fokus te parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e shëndetit psiko-fizik të fëmijëve. Në këto aktivitete do të përfshihen prindërit, fëmijët dhe mësimdhënësit. Ismaili vlerëson se është e rëndësishme që ky projekt të realizohet plotësisht, pasi ndërhyrja që në fëmijërinë e hershme është thelbësore për të ndalur këtë fenomen shqetësues.