Rreziku është veçanërisht i lartë në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier. Një rrezik i moderuar vlerësohet për Shkodrën, Tiranën, Elbasanin, Beratin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Megjithatë, disa zona në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat dhe Vlorë pritet të kenë rrezik lokalisht të lartë. Qarqet Kukës, Dibër dhe Korçë mbajnë një rrezik të ulët.

Për të hënën, IGJEO parashikon reshje të dobëta në Shkodër dhe Kukës. Reshje lokale të dobëta mund të ketë edhe në Dibër, Lezhë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Qarqet e tjera nuk do të kenë reshje.

Temperaturat do të mbeten të larta, duke arritur deri në 34°C në zonat e ulëta, 31°C në bregdet dhe 27°C në zonat malore. Era pritet të jetë e lehtë deri mesatare, por mund të forcohet herë pas here në zonat malore dhe bregdetare.

Instituti i Gjeoshkencave u bën thirrje qytetarëve të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre, pasi kushtet meteorologjike favorizojnë përhapjen e tyre.