Qytetarët mbështesin ndryshimet e reja ligjore që synojnë rritjen e sigurisë në trafik, duke pasur parasysh numrin e lartë të aksidenteve të përfshira me trotinetë elektrikë. Masat e reja parashikojnë kufizime të theksuara për përdorimin e këtyre mjeteve.
Sipas rregullave të reja, personat nën 18 vjeç nuk mund të përdorin trotinetët elektrikë. Shpejtësia maksimale e lejuar kufizohet në 20 kilometra në orë dhe ndalohet transportimi i dy personave në një trotinet. Trotinetët duhet të lëvizin në korsitë e biçikletave. Në mungesë të tyre, lejohet lëvizja në trotuar, por jo më shpejt se 6 km/h, duke nënkuptuar shtytjen e mjetit. Drejtuesit duhet të zbresin nga trotineti kur kalojnë rrugën në vendkalimet e këmbësorëve. Ndalohet vozitja pa duar, me një rrotë, dhe ngjitja pas automjeteve të tjera.
Gjobat për shkeljet rriten nga 50 në 100 euro. Për vozitje nën ndikim të alkoolit, gjoba është 275 euro dhe mjeti konfiskohet. Prindërit e fëmijëve nën 18 vjeç që vozisin trotinetë do të gjobiten me 225 euro, si dhe mjeti u konfiskohet për 30 ditë. Përveç gjobave, në raste të caktuara si ngasja nga të miturit apo tejkalimi i shpejtësisë, parashikohet edhe konfiskimi i përkohshëm i trotinetit.
Statistikat e prezantuara në Kuvend tregojnë një rritje të ndjeshme të aksidenteve. Nga viti 2024 deri në maj 2026, janë regjistruar 2352 aksidente trafiku që përfshijnë mopedë, trotinetë elektrikë dhe motoçikleta. Këto aksidente kanë rezultuar me 46 viktima dhe 585 persona me lëndime të rënda trupore. Më shumë se 70% e të aksidentuarve kanë qenë fëmijë të mitur.