Festivali, i cili pasuron jetën kulturore të qytetit, nisi mbrëmjen e së mërkurës me performancat e grupeve 3 Musketjerët, Attitude GNR Band, TNT, Rool dhe Zwada Band. Këngëtari Redon Makashi, pjesë e 3 Musketjerët, shprehu kënaqësi për rikthimin në festival dhe vlerësoi organizimin e tij. Ai ndau edhe lajmin se po punon për një album të ri me nëntë këngë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi rëndësinë e festivalit për promovimin e vlerave të muzikës rock te brezi i ri. Ai shtoi se numri i madh i të rinjve që marrin pjesë çdo vit konfirmon suksesin e kësaj iniciative. Totaj paralajmëroi edhe zgjerimin e kalendarit kulturor me edicionin e parë të Jazz Festivalit në Prizren, i cili pritet të mbahet rreth mesit të nëntorit.
Programi i festivalit "Rock & Blues Music Festival" nis çdo mbrëmje në ora 18:30. Sot, më 4 korrik, në skenën kryesore do të performojnë Kolpa, Led Zeppelin 2 dhe BB Pool, ndërsa në "Sunset Stage" do të ngjiten Hawolf dhe Dolduzgin Band. Kjo datë përkon me Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, prandaj pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Edicioni i sivjetmë mbyllet më 5 korrik, me performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Stars Band në "Main Stage", si dhe Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori në "Sunset Stage".