Roberto Martinez ka lënë detyrën si përzgjedhës i Kombëtares së Portugalisë. Humbja ndaj Spanjës në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026 ishte ndeshja e fundit për teknikun spanjoll.

Martinez konfirmoi largimin pas ndeshjes, duke theksuar përfundimin e ciklit të tij dhe mosrinovimin e kontratës. Ai falënderoi për mbështetjen e marrë gjatë kohës që drejtoi ekipin.

Trajneri 52-vjeçar mori drejtimin e Portugalisë në janar 2023, pas Kupës së Botës në Katar, duke zëvendësuar Fernando Santosin. Gjatë mandatit të tij, Portugalia fitoi Ligën e Kombeve, por nuk arriti sukses në Botërorin 2026.

Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, ka zgjedhur Jorge Jesus si pasardhës. Trajneri 71-vjeçar, i cili është i lirë pas largimit nga Al Nassr, pritet të takohet me drejtuesit e federatës për të finalizuar marrëveshjen.

Nëse emërimi konfirmohet, Jorge Jesus do të udhëheqë Portugalinë në kualifikimet dhe fazën finale të Euro 2028, si dhe në Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet nga Portugalia, Spanja dhe Maroku.