Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, aktori Robert Aliaj ironizoi sjelljen e disa shqiptarëve që i konsideron patriotë vetëm në raste festash apo ngjarjesh sportive. Ai pyeti retorikisht: “Ku jeni ju, patriotët e stadiumeve dhe koncerteve tallava, që ulërini nëpër stadiume një herë në dy vjet? Kur atdheu digjet, ju strukeni si minj.”
Aliaj theksoi se patriotizmi i vërtetë nuk shfaqet përmes këngëve të pasinqerta apo manifestimeve të rreme, por përmes veprimeve konkrete. Ai hodhi poshtë lidhjen e patriotizmit me kriminalitetin, korrupsionin, apo veprimtari të paligjshme.
Sipas aktorit, patriotizmi i vërtetë kushton më shumë se liria dhe kërkon besnikëri, sakrificë dhe të qenit i betuar për diçka më të madhe se vetja. Ai shprehu se një patriot i vërtetë është i dashuruar me jetën, i lirë dhe nuk merret me pazare, vjedhje të vendit, votave apo shitje të tyre. Mesazhi i tij kulmoi me thirrjen për qytetarët që të ngrihen në këmbë dhe të protestojnë kur atdheu ndodhet në rrezik.