Të rinjtë Luisa, Ardiani, Yllza dhe Amra theksojnë nevojën për reforma reale, jo premtime boshe. Ata e shohin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si zgjidhje për shumë sfida. Mesazhi i tyre drejtuar institucioneve kërkon përfshirje dhe dëgjim të vazhdueshëm të të rinjve, jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

Luisa Residi përmend emigrimin si zgjidhje për mungesën e perspektivës, papunësinë dhe problemet e shëndetit mendor. Ardian Ramadani vë theksin te arsimi që nuk i zhvillon të rinjtë për tregun e punës, besimi te institucionet dhe zhvillimi profesional. Yllza Sulejmani rendit emigrimin, punësimin dhe cilësinë e arsimit si problemet kryesore. Amra Osmani shtoi mungesën e vendeve të punës dhe arsimin joefektiv.

Sa i përket pasivitetit, të rinjtë shprehin se ndihen të demoralizuar kur nuk dëgjohen. Ardian Ramadani thekson dëshpërimin dhe burokracinë e lartë institucionale si shkaqe të pasivitetit. Yllza Sulejmani shton se zëri i tyre nuk sjell ndryshim. Amra Osmani përmend mungesën e përfshirjes në vendimmarrje si humbje të motivimit.

Anëtarësimi në BE shihet si shpresë për përmirësimin e standardit, reformave në arsim dhe rikthimin e besimit te institucionet. Megjithatë, të rinjtë theksojnë se vendi duhet të reformohet fillimisht. Një studim i Fondacionit Shoqëri e Hapur – Ballkani Perëndimor me mbi 6 mijë të rinj (Gjenerata Z, 16-28 vjeç) tregon se 64.8% e tyre e shohin të ardhmen në vendin e tyre dhe besojnë te demokracia, duke e parë Evropën si pjesë të së ardhmes, por me kushte.