Prokuroria e Riminit ka nisur hetimet ndaj një 21-vjeçari shqiptar, banues prej vitesh në Itali, i akuzuar për dhunë seksuale. Akuzat janë ngritur nga një turiste gjermane 18-vjeçare, e cila po pushonte në rivierën italiane gjatë fundjavës së parë të korrikut.
Sipas dëshmisë së 18-vjeçares, ajo dhe dy shoqet e saj u takuan me 21-vjeçarin në një diskotekë në Rimini, mbrëmjen e 5 korrikut. Pas disa orësh dhe konsumimit të sasive të mëdha të alkoolit, të katërt shkuan në plazh. Aty, 21-vjeçari dhe vajza gjermane u veçuan nga grupi. Turistja pretendon se i riu e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale, duke përfituar nga gjendja e saj e dehur. Ajo bëri rezistencë, por u mposht dhe u zhvesh me forcë. Të nesërmen, vajza depozitoi kallëzim në polici.
21-vjeçari i mohon kategorikisht akuzat. Sipas versionit të tij, mes tyre pati vetëm puthje dhe marrëdhënia ishte me pëlqim. Avokati i tij theksoi besimin e klientit te pafajësia, duke shtuar se i riu ua dorëzoi vullnetarisht të brendshmet autoriteteve për analiza. Prokuroria ka kërkuar një procedurë të posaçme për marrjen e provave, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.