Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet ka nisur debatin mbi amendamentet e propozuara për ribalancin e Buxhetit të vitit 2026. Partitë politike, përfshirë BDI-në, LSDM-në dhe E Majta, kanë paraqitur gjithsej 224 amendamente.
Një pjesë e amendamenteve kërkojnë rritje fondesh për Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve. Gjithashtu, janë propozuar rritje pagash për punonjësit e administratës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarët e Armatës, si dhe shtim të granteve bllok për komunat, të destinuara për brigadat e zjarrfikësve.
Amendamentet për rritjen e pagave në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë u refuzuan. Arsyetimi ishte se fondet për pagat aktuale janë siguruar sipas marrëveshjeve kolektive ekzistuese. Po ashtu, diskutohet me sindikatat përfaqësuese për arritjen e marrëveshjeve të reja kolektive.
Partia E Majta ka kërkuar fonde shtesë për ndërtimin e objekteve për Armatën dhe për themelimin e një qendre sigurie malore. Debati mbi amendamentet do të vazhdojë nesër në orën 11:30.