Ribalanci i propozuar i buxhetit të shtetit për vitin 2026 parashikon një rritje të shpenzimeve totale dhe thellim të deficitit buxhetor. Dokumenti planifikon më shumë mjete për projekte infrastrukturore, pagesa sociale dhe subvencione. Shpenzimet e Fondit për Sigurime Shëndetësore (FSSH) rriten me 20 milionë euro, ndërsa Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) rishpërndan mjetet me rritje për paga, mallra, shërbime dhe subvencione.
Shpenzimet e shtetit për përfitime sociale, subvencione dhe transferta rriten me dhjetëra milionë euro. Shuma e përgjithshme për “përfitime sociale” arrin në 2,598 miliardë euro, një rritje prej rreth 33 milionë eurosh. Zëri “subvencione dhe transferta” arrin në 532,3 milionë euro, shënon një rritje prej 10,4%, ose 50,2 milionë euro. Këto shuma kanalizohen kryesisht përmes FSPI-së dhe FSSH-së.
Buxheti i FSPI-së rritet me 300 mijë euro, duke arritur në 2,45 miliardë euro. Planifikohen më shumë mjete për rroga dhe kompensime, mallra dhe shërbime, si dhe subvencione. Shpenzimet e FSSH-së arrijnë në pothuajse 908 milionë euro, 20 milionë euro më shumë se plani fillestar. Rritja më e madhe e shpenzimeve në FSSH është te zëri “rroga dhe kompensime”, që arrin 11,4 milionë euro, dhe te “përfitime sociale” me një rritje prej 15,64 milionë eurosh.
Qeveria mbrojti ribalancin si zhvillimor, duke theksuar politikat për rritje ekonomike të mbështetur nga konsumi privat, si rezultat i rritjes së pagave dhe pensioneve. Konsumi privat pritet të shënojë një rritje reale prej 2,3% në vitin 2026, ndërsa konsumi publik rritet me 2,5%. Opozita, nga ana tjetër, e vlerëson këtë ribalancim si një buxhet parazgjedhor, duke përmendur rritjen e konsiderueshme të zërave buxhetorë për përfitime sociale, transferta dhe subvencione.