Vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka nisur një proces të gjerë renovimi në institucionet kulturore, duke prekur rreth 80% të hapësirave dhe objekteve. Ky angazhim, megjithëse i domosdoshëm për të krijuar kushte dinjitoze pune, ka rezultuar në mbylljen e këtyre objekteve dhe mungesë hapësirash alternative për krijuesit.
Teatri Kombëtar i Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Teatri Oda në Prishtinë, Teatri i Pejës, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Teatri i Ferizajt dhe Kino Lumbardhi janë ndër institucionet që po rinovohen. Së shpejti pritet të fillojë renovimi edhe në Teatrin e Gjilanit dhe në “Burgun e Idealit”.
Ky proces ka lënë artistët pa angazhime dhe pa mundësi për të ushtruar zanatin e tyre, pasi nuk janë krijuar hapësira të përkohshme pune. Edhe pse nevoja për reformim të infrastrukturës kulturore ka qenë e madhe, mungesa e planifikimit për aktivitetet gjatë periudhës së renovimit ka krijuar një ndërprerje në skenën kulturore.
Kryeministri Albin Kurti ka shfaqur interesim për kulturën, duke vizituar ngjarje dhe duke rritur fondet për sektorin. Megjithatë, zbatimi i politikave vizionare dhe krijimi i kushteve për vazhdimësinë e aktiviteteve artistike gjatë renovimeve mbeten sfida.