Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish protestuesve me etiketimet “sorrat dhe korbat e bulevardit”. Kjo vjen ndërkohë që prej 38 ditësh, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e kabinetit, duke e cilësuar të dështuar qeverisjen 13-vjeçare.
Gjatë vizitës në ambientet e stadiumit të improvizuar për performancën e reperit Kanye West, Rama komentoi fondin e akorduar nga shteti për organizimin e koncertit. Ai deklaroi se ndërhyrja e shtetit ka qenë vetëm 4 milionë euro, të garantojë mbarëvajtjen e aktivitetit. Kryeministri i quajti të pavërteta akuzat për shpenzimin e “dhjetëra miliona euro” për këtë event dhe hodhi akuza ndaj mediave e shoqërisë civile që kërkojnë transparencë.
Rama theksoi se koncerti është organizuar tërësisht nga një grup privat me partnerë shqiptarë, gjermanë dhe turq. Sipas tij, koncerti pritet të sjellë mijëra vizitorë nga dhjetëra shtete, duke sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik për Tiranën. Ai e konsideroi organizimin e eventeve të tilla si një investim për zhvillimin e vendit, duke sjellë impakt ekonomik të menjëhershëm dhe afatgjatë.