Zoti Rama i cilësoi kundërshtarët si "korba të shpifjes" dhe "sorra manipulimi", duke theksuar se nuk do të lejojë që "projektet për Shqipërinë të merren peng". Ai adresoi akuzat se qeveria ka shpenzuar 50 milionë euro për koncertin, duke e quajtur këtë një "gënjeshtër me bisht akrepi".

Kryeministri sqaroi se koncerti i Kanye West do të financohet tërësisht nga sponsorët dhe shitja e biletave. Ai theksoi se qeveria fillimisht kishte nënshkruar vetëm një letër gatishmërie si mikpritëse, duke garantuar siguri dhe mbështetje logjistike pa asnjë angazhim financiar. Zoti Rama pranoi se qeveria ndërhyri me 4 milionë euro mbrëmë për të shmangur anulimin e koncertit, duke theksuar se shuma është shumëfish më e vogël se ajo e pretenduar nga kritikët. Ai argumentoi se kjo shifër është e arsyeshme, duke pasur parasysh përfitimet ekonomike dhe reklamimin global të Shqipërisë.

Lidhur me pretendimet për dëmtimin e mjedisit, kryeministri u shpreh se zona ku po ndërtohet stadiumi me kapacitet 60 mijë spektatorësh ishte më parë "një fushë ferrash", dhe jo gjelbërim siç pretendohet. Ai bëri dallim mes protestuesve me shqetësime të sinqerta dhe atyre që i shfrytëzojnë protestat për qëllime politike, duke theksuar se problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës, por kur ajo ushqehet me shpifje dhe dezinformim.