Kryeministri Edi Rama iu përgjigj debatit publik mbi investimet e parashikuara në Zvërnec dhe Sazan, duke mohuar privatizimin e tokës publike. Rama e quajti këtë debat dezinformim dhe ndikim të narrativave politike, duke përfshirë ato që lidhen me presidentin amerikan Donald Trump.

Në podcastin e tij, Rama sqaroi se Zvërneci është tokë private. Ndërsa Sazani mbetet pronë publike dhe marrëveshja e partneritetit për të nuk ka përfunduar ende. Ai theksoi se Shqipëria nuk shet tokë publike dhe shteti do të jetë gjithmonë pronar, si dhe partner në çdo sipërmarrje.

Kryeministri shtoi se projektet zhvillimore ndiqen sipas kuadrit ligjor dhe standardeve të Bashkimit Europian. Ai përjashtoi mundësinë e privatizimit të pronës publike ose shkeljes së procedurave. Rama nënvizoi se Shqipëria është e angazhuar në integrimin europian dhe çdo projekt i rëndësishëm do të vlerësohet për ndikimin mjedisor, sipas Kapitullit 27 të negociatave me BE.