Edi Rama theksoi se projekti i diskutuar në Zvërnec përfshin pronë private dhe se zhvillimi i saj realizohet përmes marrëveshjes mes pronarëve dhe investitorëve potencialë. Ai shtoi se ende nuk ka një plan konkret, pasi agjencitë shtetërore po veprojnë me kujdes për të siguruar respektimin e rregullave dhe standardeve.
Lidhur me akuzat për ndryshimin e ligjeve dhe zvogëlimin e zonave të mbrojtura, Rama mohoi ndërhyrje për të hapur mundësi ndërtimi në zona ku ndërtimi është i ndaluar. Ai shpjegoi se mbrojtja e zonave bazohet në kategoritë e Bashkimit Evropian, duke nënkuptuar nivele të ndryshme mbrojtjeje.
Për sa i përket punimeve të nisura në zonë pa leje zyrtare ndërtimi, Kryeministri sqaroi se prona private mund të rrethohet me gardh, nëse ekziston një leje paraprake për punime përgatitore, përfshirë vlerësimin e ndikimit mjedisor. Ai theksoi se agjencitë shtetërore punojnë bazuar në dokumente, jo në pretendime pronësie të pakonfirmuara gjyqësisht.
Duke iu referuar protestave, Rama tha se ato kanë nisur për shkak të shqetësimeve të qytetarëve, por theksoi se çështja e Zvërnecit nuk është më në qendër të tyre. Ai bëri dallimin mes qytetarëve protestues, të cilët i respekton, dhe organizatorëve të protestave.