Gjatë fjalës së tij, Rama lidhi pakënaqësinë e qytetarëve me pjesëmarrjen e tyre në protesta, duke e quajtur atë një “protestë të pastër” për kërkesat dhe shqetësimet. Ai përmendi rastin e nënës së një shoku të tij, një gjyshe e moshuar, e cila kishte dalë në protestë për shkak të problemeve me shërbimin në poliklinikë.

Sipas tregimit, gruaja detyrohej të shkonte në orët e para të mëngjesit për të pritur mjekun, i cili shpeshherë nuk respektonte orarin dhe largohej pas trajtimit të pak pacientëve. Kjo sjellje, sipas kryeministrit, shkakton një ndjenjë të thellë poshtërimi tek qytetarët.

Kreu i qeverisë e quajti transformimin e administratës publike një proces kompleks dhe të vështirë, që kërkon kohë dhe krijimin e mekanizmave të rinj. Ai pranoi se Ligji i parë i administratës publike, i aprovuar një dekadë më parë, ka sjellë pak transformim real. Rama theksoi se qytetarët kanë të drejtë të jenë kërkues dhe të trajtohen më mirë nga administrata shtetërore.