Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë, kryeministri theksoi se çdo qytetar ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e qeverisë, por pa përdorur dhunë kundër institucioneve. Ai u shpreh se qeveria përpiqet të bëjë dallimin mes protestuesve me bindje dhe grupeve që synojnë krijimin e tensioneve.
Rama foli edhe për investimet e huaja, duke theksuar se Shqipëria nuk mund t'i konsiderojë ato kërcënim për sovranitetin. Sipas tij, zhvillimi ekonomik varet nga aftësia për të tërhequr kapital dhe projekte strategjike, siç janë resortet turistike të luksit. Këto investime, sipas Ramës, shërbejnë si motor zhvillimi dhe krijojnë një zinxhir ekonomik për fermerët, peshkatarët dhe prodhuesit vendas, duke sjellë përfitime ekonomisë me një raport 1.6-2 euro për çdo euro të investuar brenda hoteleve.
Kryeministri shtoi se një investim prej 4 miliardë eurosh në një ekonomi prej 27 miliardë eurosh është transformues dhe hap rrugën për investitorë të tjerë. Ai mbrojti idenë e zhvillimit ekonomik paralel me ruajtjen e mjedisit.
Duke iu referuar turizmit masiv, Rama tha se ndonëse ka ndihmuar në promovimin e vendit, ai sjell edhe probleme me infrastrukturën, menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimet publike. Ai argumentoi se Shqipëria duhet të synojë një turizëm cilësor, që tërheq më pak njerëz, por sjell më shumë të ardhura.