Kryeministri Edi Rama shprehu shqetësimin për zhvillimet e fundit të protestës së mbajtur në Tiranë, duke e cilësuar atë si të manipuluar. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai iu drejtua pjesëmarrësve, duke i ftuar të mos lejojnë shfrytëzimin e kauzës së tyre për qëllime politike.

Rama theksoi se vendosja e arkivolit simbolik gjatë protestës riktheu kujtimet e shtatorit 1998, kur institucionet shtetërore u sulmuan pas ceremonisë mortore të Azem Hajdarit. Ai bëri paralele mes dy ngjarjeve, duke nënkuptuar një përpjekje për rikthim të tensioneve politike.

Kreu i qeverisë pranoi shqetësimet e qytetarëve, por theksoi se protesta ishte devijuar nga aktorë të cilët, sipas tij, synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë. Rama akuzoi grupe të ndryshme se po përpiqen të ndalojnë procesin e integrimit europian të vendit, duke kërkuar kthimin e Shqipërisë pas në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai përsëriti se Shqipëria është në fazën përfundimtare të anëtarësimit në BE dhe se asnjë përpjekje përçarëse nuk do ta ndalë këtë proces. Kryeministri u bëri thirrje protestuesve të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre, por të mos lejojnë që protesta të kthehet në një alibi për “arkmortin politik”.