Prej më shumë se një muaji, sheshi para Kryeministrisë vazhdon të jetë i mbushur me protestues, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë i ka cilësuar protestuesit si të “blerë” ose të “mashtruar”, duke minimizuar lëvizjen qytetare.

Pakënaqësia e qytetarëve, pas 13 vitesh qeverisje socialiste, ka sjellë mobilizim të vazhdueshëm. Protestuesit e sotëm denoncojnë keqqeverisjen dhe problematikën ekonomike e sociale, duke pasqyruar deklaratat e Ramës në vitin 2013, kur Partia Socialiste ishte në opozitë.

Në një fjalim të asaj kohe, Rama theksonte se shqiptarët ishin të braktisur nga qeveria, përballeshin me papunësi, çmime në rritje dhe mungesë shërbimesh publike. Ai akuzonte qeverinë e atëhershme se nuk garantonte sigurinë, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. “Shqiptarët janë prej kohësh të tradhtuar nga qeveria e tyre. Çdo vit e më të papunë, më të pafuqishëm përballë çmimeve që rriten çdo ditë, pa shërbime publike sipas nevojës, por vetëm sipas xhepit. Pa shtet që t’i mbrojë e pa drejtësi që të garantojë liritë dhe të drejtat e tyre,” deklaronte Rama.

Aktualisht, shumë qytetarë ankohen për rritjen e kostos së jetesës, çmimet e larta dhe vështirësitë ekonomike, ndërsa ndihen të distancuar nga institucionet dhe të pambështetur nga shërbimet publike. Këto shqetësime ngjasojnë me problemet e denoncuara nga kryeministri Rama paraardhësve të tij.