Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur kritika të forta ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar për izolim, sanksione dhe humbje fondesh. Përmes një reagimi në Facebook, Rama theksoi se politikat e cilësuara si “patriotike” po prodhojnë pasoja të rënda ekonomike për Kosovën.
Ai deklaroi se Bashkimi Evropian po ridrejton fondet drejt vendeve të tjera të rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova mbetet jashtë për shkak të masave ndëshkuese. Kjo situatë, sipas Ramës, po lë vendin nën sanksione dhe larg partnerëve strategjikë.
Kryetari i Prishtinës përmendi rastin e fabrikës së qumështit Vita, duke theksuar se pasojat ekonomike po i ndjejnë punëtorët, fermerët dhe pronarët e bizneseve. Ai shtoi se Kosova po humbet mundësi zhvillimi dhe investime, ndërsa biznese po mbyllen. Rama akuzoi qeverinë për keqmenaxhim, mungesë politikash zhvillimore dhe humbje të dinjitetit ekonomik të vendit.