Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish ngjarjet e protestës së zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit shqiptar. Protesta u shoqërua me përplasje mes policisë dhe protestuesve, të cilët tentuan të qëllonin me vezë makinat e deputetëve.

Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, Rama theksoi se dhuna fizike është i vetmi rezultat që mund të vijë nga ajo që ai e cilësoi si “kosherja e zezë e dështimeve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës”. Ai përmendi gjithashtu “mbledhësit e precedentëve penalë dhe duart e huaja pas tyre”.

Kryeministri shtoi se në këtë situatë është ende i nevojshëm durimi, para se të vijë koha për reflektim.