Zoti Rafuna theksoi se vendet e rajonit përfitojnë nga këto mjete, ndërsa Kosova mbetet prapa. Fillimisht, fondet u humbën për shkak të masave sanksionuese. Më pas, vendi humbi mjete të tjera nga Plani i Rritjes, pasi nuk përmbushi reformat e kërkuara brenda afatit të caktuar deri më 30 qershor.
Ai bëri të ditur se disa projekte të rëndësishme, përfshirë ato në infrastrukturë, ujëra të zeza, hekurudha dhe digjitalizim, janë humbur ose mbeten të pezulluara. Këto fonde nuk do t'i kthehen Brukselit ose nuk do ta presin Kosovën deri në plotësimin e kushteve, por do të shpërndahen te vendet e tjera të rajonit që kanë përparuar me reformat.
Kryetari i OEK-ut shtoi se bllokada institucionale pengon investimet publike dhe të huaja, si dhe realizimin e reformave thelbësore ekonomike. Ai nënvizoi nevojën për ligje, politika fiskale dhe sundimin e ligjit për të ndihmuar bizneset të plasojnë produktet e tyre në tregun rajonal dhe evropian.
Rafuna u bëri thirrje partive politike të konstituojnë sa më shpejt institucionet dhe të nisin reformat urgjente ekonomike. Ai theksoi se Kosova duhet të vrapojë për të kapur vendet e rajonit dhe për t'u kyçur në proceset integruese, nga të cilat përfiton ekonomia e vendit.