Një rafineri në qytetin e Omskut, rreth 2,700 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas, u sulmua nga dronë ukrainas. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se sulmi shkaktoi një zjarr në objekt. Ky vlerësohet si një nga sulmet më të thella të Ukrainës brenda territorit rus.
Guvernatori i rajonit të Omskut, Vitaly Khochenko, tha se disa dronë goditën “zonën industriale veriore të Omskut”. Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt rafinerinë. Shërbimet e emergjencës u angazhuan menjëherë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë pasojat.
Rafineria e Omskut, në pronësi të Gazprom Neft, është një nga objektet më strategjike të industrisë energjetike ruse. Ajo përpunoi rreth 23 milionë tonë naftë vitin e kaluar, rreth 460 mijë fuçi në ditë.
Ky sulm është pjesë e një fushate të intensifikuar ukrainase kundër infrastrukturës energjetike ruse. Autoritetet ukrainase deklaruan se gjatë natës u goditën edhe portet ruse të Ust-Lugës dhe Vysotskut në Detin Baltik, si dhe objektiva në rajonet Kaluga dhe Yaroslavl.
Ndërkohë, në Krime, një grua humbi jetën gjatë një sulmi në portin e Kerçit. Qyteti i Sevastopolit mbeti pa energji elektrike pas sulmeve, sipas njoftimeve zyrtare ruse.