Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq ndodhen nën sanksionet e SHBA-së prej më shumë se katër vitesh. Këto sanksione lidhen me akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion. Deri para pak ditësh, sipas të dhënave, ata ruheshin nga policia serbe, konkretisht xhandarmëria.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se mbrojtja policore ka përfunduar, duke theksuar se këta dy persona “nuk janë kriminelë”. Megjithatë, Vuçiq deklaronte në vitin 2023 se Radoiçiq “nuk është i pafajshëm si një lule”, ndërsa tani argumenton se ai po ndiqet “për shkak të Kosovës”.
Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e vitit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën një polic i Kosovës dhe tre terroristë. Për këtë rast, Radoiçiq akuzohet për terrorizëm në Kosovë dhe emri i tij është në listën e kuqe të Interpolit. Ai u arrestua edhe në Serbi si i dyshuar për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, por aktualisht është njeri i lirë në Serbi.
Zvonko Veselinoviq, kumbari i Radoiçiqit, është lidhur prej vitesh me vepra të ndryshme penale, duke përfshirë vjedhjen e organizuar të veturave dhe trafikimin e heroinës. Një raport i BIA-s nga viti 2011 e cilësonte atë si drejtues të një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge, armësh, nafte, fajde dhe pastrim parash, megjithëse ai nuk është dënuar.
Një gazetar i të përjavshmes “Radar” vlerëson se Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë ndikim të madh në sektorin e sigurisë dhe pasuria e tyre, duke përfshirë helikopterë dhe jahte, është fituar shpesh nga shteti përmes tenderëve ku ata ishin ofertuesit e vetëm.