Qytetari iu drejtua drejtpërdrejt atyre që kanë pranuar favore në këmbim të votës, duke theksuar pasojat për popullin shqiptar. Ai pyeti retorikisht nëse thesi i miellit i marrë në këmbim të votës ka mbaruar dhe nëse është kuptuar dëmi i shkaktuar.
Ai theksoi se "komunizmi është nëpër këmbë" dhe akuzoi se "të gjithë bashkëpunuan për të vjedhur tokat dhe falsifikuar pronat", ndërsa shqiptarët enden rrugëve për të marrë pronat e tyre. Protestuesi i bëri thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që shqiptarët të trajtohen njëlloj si qytetarët e vendeve të BE-së.
Ndër të tjera, ai shprehu shqetësim për gjendjen në Onkologjik, ku pacientët nuk kanë para për ilaçe. Qytetari iu drejtua kryeministrit, duke thënë se nëse dëshiron të falë tokë, të japë atë të familjes së tij në Vuno. Mbi të gjitha, ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të protestave: “Zjarri duhet mbajtur ndezur.” Ai paralajmëroi qytetarët të mos i besojnë përpjekjeve për përçarje, duke kujtuar situatën me studentët, dhe kërkoi të mos shitet vota, pasi politikanët shpenzojnë shuma të mëdha për veten, ndërsa marrin votat e qytetarëve të varfër.