Avokati Arianit Koci bëri të ditur se është kontaktuar nga qytetari, identitetin e të cilit e ka verifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, gjatë daljes nga Serbia.

Qytetari dhe familja e tij u ndaluan për kontroll në pikën kufitare. Familja u dërgua në një garazh brenda zonës kufitare, ku policët kontrolluan sendet personale dhe telefonat celularë. Gjatë kontrollit, në telefonat e fëmijëve u gjetën fotografi me flamurin shqiptar dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas kësaj, qytetari u kërcënua me arrestim dhe dërgim në paraburgim në Beograd. Për të shmangur arrestimin dhe për të mos i lënë fëmijët vetëm, ai pretendon se i dha policëve 2000 euro.

Koci theksoi se kjo ngjarje është serioze nëse pretendimet janë të sakta. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve me përvoja të ngjashme të kontaktojnë atë, të njoftojnë stacionin policor dhe Ambasadën e Kosovës në vendin ku jetojnë. Rastet e dokumentuara me elemente të ngjashme do të ndiqen përmes rrugëve ligjore.