Vendimi u mor pas një takimi ndërmjet Ministrit të Bujqësisë, përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve, prodhuesve të qumështit dhe përfaqësuesve të qumështores "Vita". Ky takim erdhi pas tensioneve të krijuara ditët e fundit.
Fidan Krasniqi, anëtar i Bordit të Shoqatës së Fermerëve, deklaroi se të gjithë aktorët ranë dakord të presin rezultatet zyrtare të analizave. Sipas tij, AUV do të dalë me rezultatet e mostrave të marra nga qumështorja "Vita" dhe qumështore të tjera në një afat sa më të shkurtër.
Krasniqi shpjegoi se vonesa e publikimit të rezultateve lidhet me marrjen e mostrave jo vetëm në "Vita", por edhe në shumë qumështore të tjera. Gjatë takimit u arrit një marrëveshje e përkohshme: "Vita" do të nisë menjëherë grumbullimin e qumështit, ndërsa problemet e tjera do të diskutohen në takimet e ardhshme.