Drejtori i përgjithshëm i "Vita", Artan Spahija, theksoi se më 2 korrik, Ministria e Bujqësisë urdhëroi një kontroll urgjent në fabrikë. Megjithatë, sipas Spahisë, vendimi për pezullimin e aktivitetit ishte marrë nga bordi i kompanisë.
Avokati Leka Sahatçiu deklaroi se "Vita" gjithmonë ka bashkëpunuar me institucionet dhe nuk u është shmangur kontrolleve. Ai kritikoi përbërjen e ekipit inspektues, duke thënë se kishte rreth 20 persona, përfshirë këshilltare politike të ministrit dhe një konkurrent, ndërkohë që normalisht numri i inspektorëve është dy ose tre.
Lidhur me produktet që përmbajnë vaj bimor, Sahatçiu sqaroi se çdo produkt është i deklaruar dhe i sigurt për konsum, i raportuar paraprakisht në AVUK me të gjitha specifikimet. Ai theksoi se shumë produkte konkurruese përmbajnë vaj palme.
Drejtori i prodhimit, Musa Berisha, konfirmoi se të gjitha produktet kanë përbërjen e deklaruar saktësisht. Ai shtoi se për çdo produkt, AVUK-u njoftohet paraprakisht dhe i dorëzohen të gjitha specifikimet teknike të prodhimit.