Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) ka nisur një projekt pilot për instalimin e kamerave të mençura. Këto kamera, të vendosura në zona kritike pyjore, do të monitorohen 24 orë nga Qendra Operative e QMK-së. Aktualisht, një numër kamerash janë funksionale dhe rrjeti po zgjerohet drejt një numri prej rreth 50 kamerash, duke rritur mbulimin e zonave të ndjeshme.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, deklaroi se qëllimi kryesor është zbulimi në kohë i zjarreve. Kjo do të mundësojë reagime të shpejta nga shërbimet kompetente dhe një koordinim më efikas në terren. Kamerat me rrotullim 360 gradë monitorojnë vazhdimisht zonën. Ato drejtohen dhe ndalen automatikisht në vendndodhjen e saktë pas detektimit të tymit ose flakës. Qendra Operative e QMK-së merr njoftim automatik me email dhe mesazh menjëherë pas zbulimit.
Aliu theksoi se krijimi i këtij sistemi ka qenë një prioritet që nga marrja e detyrës. Ky projekt, në bashkëpunim me një kompani vendase, ofron mbrojtje më të madhe për pyjet, pronën dhe sigurinë e njerëzve. QMK vlerëson se ky projekt pilot shënon një hap të ri në sistemin kombëtar të mbrojtjes nga zjarri, duke theksuar rëndësinë e teknologjive moderne për veprim të shpejtë dhe efikas.