Ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK realizoi me sukses një operacion te një i porsalindur njëjavësh. Foshnja u diagnostikua me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji jashtëzakonisht e rrallë që kërcënonte seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen. Incidenca e kësaj patologjie është rreth 1 në 35,000 deri në 1 në 200,000 lindje të gjalla, me një mortalitet të lartë nëse nuk sigurohet në kohë rruga e frymëmarrjes.

Pas diagnostikimit të hershëm dhe sigurimit emergjent të rrugëve të frymëmarrjes nga ekipi i Klinikës së Neonatologjisë, pacienti iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike. Menaxhimi u realizua nga ekipi i Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

Operacioni u krye nga ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, i udhëhequr nga dr. Alban Olluri, me mbështetjen e anesteziologëve të udhëhequr nga dr. Agreta Gashi Gecaj. Tumori u largua tërësisht, pa komplikime intraoperative. Ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme, foshnja merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore. Ky rast tregon nivelin e lartë të ekspertizës dhe bashkëpunimit multidisiplinar në QKUK.