Drejtuesit e disa klinikave brenda QKUK-së raportojnë për nevojë urgjente për mjekë shtesë. Ata theksojnë se numri i tanishëm i specialistëve nuk mbulon kërkesat në rritje të shërbimeve shëndetësore. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, SHSKUK nuk ka marrë ende veprime konkrete për të rekrutuar staf të ri.
Klinika e Kardiokirurgjisë, me tetë kardiokirurgë aktivë, ka një listë pritjeje prej rreth 140 rastesh, me kohëzgjatje mesatare prej gjashtë muajsh. Drejtori Shpejtim Shurdhiqi ka theksuar domosdoshmërinë e punësimit të katër deri në shtatë kardiokirurgëve të rinj brenda tre vjetëve të ardhshme për të përmbushur nevojat e procedurave të reja dhe avancimet në fushë. Asnjë pensionim nuk pritet në këtë klinikë gjatë dy viteve të ardhshme.
Edhe Klinika e Neurokirurgjisë, me tetë neurokirurgë, ka kërkuar staf të ri dhe tre specializantë. Drejtori Besnik Elshani ka raportuar dyfishim të numrit të operacioneve neurokirurgjikale në pesë vjetët e fundit. Aktualisht, lista e pritjes ekziston vetëm për hernit diskale lumbale, me afat deri në tre muaj.
Mungesa e stafit është raportuar edhe në Klinikën e Onkologjisë dhe në atë të Otorinolaringologjisë (ORL). Onkologjia ka 13 onkologë dhe pesë specialistë të radioterapisë, ndërsa në ORL tre specialistë trajtojnë rastet komplekse të laringologjisë dhe gjëndrës tiroide.
SHSKUK ka konfirmuar shqyrtimin e kërkesave të klinikave, duke deklaruar se rekrutimet varen nga pozitat e kërkuara dhe rishikimi i buxhetit.