Terapia fikse ortodontike vazhdon të ofrohet nga specialistët e QKSK-së, duke ndjekur standardet bashkëkohore të diagnostikimit dhe trajtimit. Aparatet fikse, ose briketat ortodontike, vendosen mbi dhëmbë për të korrigjuar anomalitë dentare dhe nofullore.
Ky trajtim përmirëson okluzionin, raportet ndërnofullore dhe funksionet thelbësore si përtypja, të folurit dhe frymëmarrja, kur ato preken nga anomali ortodontike.
Procesi diagnostikues përfshin analiza dhe vlerësime klinike e radiologjike, duke përdorur ortopantomografinë dhe cefalometrinë. Këto ekzaminime ndihmojnë në vendosjen e një diagnoze të saktë, hartimin e një plani trajtimi individual dhe monitorimin e progresit të pacientit.
Trajtimi individualizohet për çdo pacient, duke marrë parasysh moshën, llojin dhe shkallën e anomalisë, si dhe nevojat funksionale e estetike. Diagnostikimi dhe ndërhyrja e hershme janë thelbësore për rezultate të qëndrueshme, ruajtjen e shëndetit oral dhe parandalimin e komplikimeve.