Vendimi u mor pas shqyrtimit të informacionit të dorëzuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Kjo ministri nisi procedurën pasi kryetari i Këshillit Komunal të Bërvenicës njoftoi për vdekjen e Ilievskit, duke përmbushur kështu një kusht ligjor për përfundimin e parakohshëm të mandatit.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ministria kishte afat 15-ditor nga marrja e njoftimit për të informuar Qeverinë. Pas këtij informacioni, Qeveria ka 30 ditë kohë për të nisur procedurën e shpalljes së zgjedhjeve të reja për kryetar komune. Këshilli Komunal, brenda 30 ditësh nga vendimi i Qeverisë, do të zgjedhë një anëtar të tij për të kryer detyrën e kryetarit deri në zgjedhjen e pasardhësit.
Jovica Ilievski ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës që nga viti 2021 dhe kishte fituar mandatin e dytë në zgjedhjet lokale të vitit 2025.