Qeveria shqiptare ka akorduar 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencave për koncertin e reperit Kanye West në Tiranë. Ky financim u miratua nëpërmjet një Akti Normativ, të publikuar në Fletoren Zyrtare më 7 korrik, duke u bazuar në Nenin 101 të Kushtetutës për nevoja urgjente.
Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të punimeve në arenën “Eagle Stadium” në Kashar së bashku me ministrin Blendi Gonxhja, deklaroi se ky event ishte i organizuar nga një grup privat, por shteti u detyrua të ndërhynte. Ai justifikoi financimin duke thënë se mosrealizimi i koncertit do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e qytetit.
Ekspertë ligjorë e kanë kritikuar ashpër këtë veprim. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e cilësoi aktin si shkelje të ligjit, duke theksuar se fondi i rezervës është për situata të jashtëzakonshme si katastrofat natyrore ose rreziqet e sigurisë kombëtare, jo për aktivitete komerciale. Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare shtoi se Kushtetuta po keqpërdoret dhe shuma e shpenzuar tregon mungesë transparence.
Më herët, në fund të prillit, Kryeministri Rama e kishte lajmëruar koncertin. Deri së fundmi, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit kishte mohuar përdorimin e fondeve publike për këtë projekt. Ministri Gonxhja refuzoi të komentonte kur u pyet për vendimin.