Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë firmosur një marrëveshje të re bashkëpunimi. Kjo marrëveshje, e fokusuar te mobiliteti në punë, synon të thjeshtojë procedurat për punësimin e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Dokumenti u nënshkrua nga ministri Andin Hoti, përfaqësues i Kosovës, dhe ministrja Delina Ibrahimaj, nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë. Ceromonia u zhvillua gjatë takimit të parë bilateral ministror jashtë Kosovës.

Marrëveshja zgjeron mundësitë për zhvillim profesional dhe thellon bashkëpunimin ekonomik. Ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo marrëveshje afron më tej Shqipërinë dhe Kosovën në politikat e tregut të punës, duke hapur më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional. Ajo shtoi se do të përmirësohen shërbimet për qytetarët dhe do të mbështeten bizneset që kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar.

Ministri Hoti nga ana e tij, theksoi se marrëveshja krijon mundësi më të mëdha për qytetarët e të dyja vendeve. Këta qytetarë do të përfitojnë nga shërbimet dhe programet në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.