Incidentet e dhunshme ndodhën pas një tubimi paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kur një grup protestuesish marshuan drejt komisariatit. Ky vend u zgjodh sepse aty mbaheshin disa prej të arrestuarve pas incidenteve të së enjtes në Kuvend.
Disa protestues, pjesërisht të maskuar, sulmuan ambientet e komisariatit, duke thyer xhamat dhe orenditë në holl. Fillimisht, tre efektivë policie tentuan të negocionin përmes xhamit, duke u kërkuar protestuesve të zmbrapseshin.
Megjithatë, një numër i protestuesve të maskuar përshkallëzuan situatën, duke nisur shkatërrimin e institucionit. Ata thyen xhamat e jashtëm dhe më pas hynë brenda, duke shkatërruar çdo gjë që gjetën.
Një efektivë policie pësoi lëndime në dorë gjatë sulmit dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor. Pas akteve të dhunës, policia ndërhyri me mjete ujore dhe forca të shumta, duke qetësuar shpejt situatën.
Hetimet kanë nisur për identifikimin e protestuesve të dhunshëm dhe priten arrestime të tjera.