Një numër i madh qytetarësh u drejtuan nga Kryeministria drejt Komisariatit nr. 3, në rrugën "Mine Peza". Aty mbaheshin mbi 10 qytetarë, të shoqëruar pas një proteste të mëhershme para Kuvendit. Kjo protestë u shoqërua me përplasje fizike me policinë, si dhe me përdorim gazi lotsjellës e spraj piperi.

Gjatë marshimit nëpër Tiranë, protestuesit brohoritën thirrjet "Lironi çunat" dhe "Polici e krimit". Kërkesat kryesore, që përsëriten prej 33 ditësh, përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. U dëgjuan edhe thirrje si "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëria kërkon revolucion" dhe kundër klasës politike me thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg".

Marshimi vijoi pas tubimit para Kryeministrisë, duke kaluar përmes qendrës së Tiranës dhe zonës së "9-Katësheve".