Reagimi i organizatorëve sqaron se këta persona ishin infiltruar nga forca politike, të cilat u ndien të kërcënuara nga përmasat e tubimit. Gjatë incidentit, qytetarët e pranishëm reaguan duke bërtitur “Jo dhunës!”, duke izoluar tentativat provokuese.
Protestuesit i bënë thirrje Policisë së Shtetit të identifikojë urgjentisht autorët e dhunës. Ata e krahasuan këtë ngjarje me rastin e flamurit të Izraelit, duke e cilësuar si një përpjekje përçarëse dhe frikësuese. Organizatorët theksuan se asgjë nuk do ta ndalë marshimin paqësor, i cili do të vijojë me pjesëmarrje të gjerë deri në largimin e kryeministrit.
Ky tubim shënon një nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në vend. Gjatë saj u përdorën simbolika si torta e betonit, arkivoli politik dhe rrobat e burgut. Protestuesit deklaruan se një incident i inskenuar nuk mund të njollosë revoltën e mijëra qytetarëve, të zhgënjyer pas 13 vitesh qeverisje. Ata shtuan se niveli aktual i korrupsionit ka tejkaluar çdo limit, duke u kthyer në një ndjenjë revolte ndaj kryeministrit.