Gjatë protestës së 35-të kombëtare kundër qeverisë, një protestues bëri thirrje për intensifikimin e veprimeve. Ai apeloi shqiptarët e diasporës të qëndrojnë në Shqipëri dhe të bashkohen me protestuesit çdo ditë, deri në përmbushjen e kërkesave.
Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, protestuesi theksoi se aksioni do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit. Ai kërkoi një mobilizim të vazhdueshëm dhe theksoi se “protesta do të vijojë derisa ky të japë dorëheqjen”.
Më tej, ai paralajmëroi për një përshkallëzim të formave të protestës, duke propozuar bllokimin e institucioneve shtetërore. “Nuk ikën Rama me lule. Duhet të bllokojmë institucionet e të mos i lejojmë të hyjnë,” deklaroi ai. Sipas tij, institucionet përdoren për pazare personale dhe jo për interesat e Shqipërisë.