Besart Kaimi, një nga protestuesit e arrestuar pas incidentit me vezë ndaj ministrit Ulsi Manja më 2 korrik, ka bërë kallëzim penal. Kaimi u paraqit sot në Komisariatin Nr. 1 në kryeqytet për të depozituar denoncimin e tij.

Ai ka deklaruar se ka denoncuar persona civilë të cilët ushtruan dhunë ndaj tij gjatë procesit të shoqërimit dhe pas tij. Kaimi ngriti akuza për mënyrën e trajtimit nga uniformat blu gjatë arrestimit.

Protestuesi theksoi se ka kryer të gjitha procedurat si një qytetar i lirë. Ai pret që institucionet ligjzbatuese të mos mbajnë anën e dhunuesve. Kaimi shpreson që drejtësia të funksionojë dhe personat përgjegjës të dalin para saj.

Ai shtoi se shteti duhet të ndalojë persekutimin e qytetarëve që ngrenë zërin ose akuzojnë zyrtarë të lartë në mënyrë paqësore dhe korrekte.