Fushata e solidaritetit u organizua pas arrestimit të Hilës dhe pas publikimit të historisë së tij. Ai u bë i njohur në rrjetet sociale për prezencën e përditshme në protestë me djalin e tij. Djali ushqehet nëpërmjet një tubi stomaku, një proces që kërkon kujdes dhe shpenzime të larta.
Sipas organizatorëve të nismës, familja Hila ndodhet në vështirësi të rënda ekonomike. Fondet janë grumbulluar nga donatorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, përmes platformës GoFundMe.
Hila ka deklaruar më herët vështirësitë ekonomike, duke theksuar koston e lartë të trajtimit të djalit. Ai ka treguar se shteti i ofron një mbështetje vjetore prej 280 mijë lekësh të vjetra dhe 130 mijë lekë të vjetra si kujdestar. Ndërkohë, kostoja e tubave të ushqimit kalon 1200 euro çdo gjashtë muaj, dhe ushqimi ditor i djalit arrin në 15 mijë lekë të vjetra.