Protesta u organizua nga Shoqata e Shqiptarëve të Prefekturës së Zarës, në bashkëpunim me Unionin e Shqiptarëve në Kroaci dhe me iniciativën e Sami Gashit. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), mori pjesë në tubim. Ai deklaroi se protesta synonte të kundërshtonte padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke brohoritur “Liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”.
Gjatë demonstratës, protestuesit mbanin flamuj kuqezi dhe pankarta në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa brohoritën vazhdimisht emrin e organizatës. OVL-UÇK e kishte mbështetur paraprakisht këtë organizim, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve për pjesëmarrje.
Ky tubim zhvillohet pas caktimit të 16 shtatorit, ora 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Shpallja e aktgjykimit është shtyrë për shkak të volumit të madh të provave të administruara. Protesta të ngjashme janë organizuar edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Hagë.